Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, sot është bërë hapja e Ligës Universitare në Futsal, e organizuar nga Federata e Sportit Universitar të Kosovës.
I pranishëm në ceremoninë zyrtare ishte edhe rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, i cili theksoi se është shumë i lumtur që UP-ja po e promovon sportin te studentët, duke u përfaqësuar me disa ekipe edhe në kuadër të Ligës Universitare në Futsal.
Në këtë rast, rektori ka deklaruar se “studentët tanë vazhdojnë të dëshmohen si kampionë kudo në botë e, së fundi, ata triumfuan në turneun mbarëkombëtar në disiplinat e basketbollit dhe volejbollit në Korçë, duke na bërë jashtëzakonisht krenarë”.
Përveç studentëve, është edhe vizioni dhe përkushtimi i pashoq i menaxhmentit dhe stafit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS) ai që bën që studentët tanë të jenë të jashtëzakonshëm në sportin universitar.
E veçantë e Ligës Universitare është që këtu, në mesin tuaj, nuk ka vetëm studentë të FEFS-it, por edhe studentë nga fakultete e universitete të tjera, të cilët do të përfitojnë rrjetëzim, argëtim dhe dobi të tjera, të cilat sporti i sjell, përmes angazhimit në këtë organizim të Federatës së Sportit Universitar të Kosovës”, është shprehur rektori.
Fjalë rasti në këtë ceremoni kanë mbajtur edhe dekani i FEFS-it, prof. Musa Selimi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi, dhe drejtori i Qendrës së Studentëve, z. Ekrem Rudari.
Në Ligën Universitare në Futsal marrin pjesë gjithsej 14 ekipe, që përfaqësojnë fakultete të ndryshme të UP-së, universitete të tjera publike dhe kolegje private. Federata e Sportit Universitar të Kosovës udhëhiqet nga dekani i FEFS-it të UP-së, prof. Musa Selimi.