Inaugurohet Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të UP-së

04 Mars 2024
SHARE

Sot, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, është inauguruar Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Rektori I UP- së, prof. dr. Qerim Qerimi, në ceremoninë e inaugurimit, theksoi rëndësinë e kësaj qendre për të ardhmen e universitetit dhe për zhvillimin e kulturës së inovacionit dhe ndërmarrësisë në shoqërinë tonë.

Ai gjithashtu u ndal në rëndësinë e të kuptuarit se sistemi universitar është në një proces të vazhdueshëm transformimi dhe se inovacioni është thelbësor për të përmbushur misionin e universitetit.

Për rëndësinë e kësaj qendre foli edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili shprehu bindjen se kjo qendër do të jetë një nyjë e rëndësishme për avancimin e përvojave mësimore të studentëve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve reale të ndërmarrësisë.

Ai shtoi se partneriteti dhe bashkëpunimi do të jenë thelbësorë për suksesin e kësaj iniciative.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, në fjalën e saj përshëndetëse, vuri në dukje se ky projekt është një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit mes Ministrisë së Industrisë dhe Universitetit të Prishtinës, për të promovuar inovacionin dhe zhvillimin e kompetencave ndërmarrëse në vend.

Ajo gjithashtu uroi për funksionalizimin e shpejtë të kësaj qendre dhe premtoi mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e inovacionit në sektorin e arsimit dhe industrisë në Kosovë.

Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të shërbejë si hapësirë e përbashkët për bizneset, ndërmarrësit potencialë dhe studentët, të cilët, përveç që do të kenë mundësi të shfrytëzojnë hapësirat e qendrës, do të përfitojnë edhe ekspertizë për hulumtim dhe zhvillim të ideve inovative.