Diskutohen mundësitë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mobiliteteve studentore ndërmjet UP-së dhe universiteteve austriake 

19 Shkurt 2024
SHARE

Delegacioni austriak përbëhej nga Thomas Zinner, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Miqësisë Kosovë – Austri, njëherësh student në Universitetin e Vjenës, Drita Cacaj dhe Günther Fehlinger, anëtarë të bordit në këtë shoqatë, studenti Sebastian Skof, përfaqësues i projektit për edukim të dyfishtë ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, si dhe studentët Markus Keiblinger dhe Andreas Ostermayer. 

Të pranishme në këtë takim ishin prorektorja Arta Basha-Jakupi, profesoresha në Departamentin e Gazetarisë, njëherësh presidentja e Shoqatës se Miqësisë Kosovë - Austri, Remzie Shahini-Hoxhaj, asistentja nga ky departament, Blerta Dibrani, këshilltari i rektorit, Irfan Nikçi, si dhe Afërdita Rexhepi nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë. 

Rektori Qerimi i uroi mirëseardhje delegacionit nga Austria dhe e informoi rreth bashkëpunimeve që ka UP-ja me institucione të ndryshme të arsimit të lartë në Austri. Ai e vlerësoi lartë partneritetin austriako-kosovar të kultivuar ndër vite, ndërkaq theksoi rëndësinë që ky bashkëpunim ka edhe për të ardhmen për UP-në dhe vendin tonë. 

Gjatë takimit, prorektorja Basha-Jakupi dhe profesoresha Shahini-Hoxhaj shpalosen mundësi të shumta për shkëmbime studentore, duke përfshirë shkëmbimet semestrale, pjesëmarrje në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës dhe në ngjarje të tjera akademike dhe kulturore, si dhe mundësitë për angazhim në punë praktike në Kosovë, për studentët austriakë. 

Palët u pajtuan për thellim të bashkëpunimit, duke mundësuar informimin e studentëve nga të dyja vendet për mundësitë për shkëmbime akademike dhe kulturore.