Rektori dhe Kryesuesi i Këshillit Drejtues diskutojnë për mundësitë e bashkëpunimit me Auditoren e Përgjithshme

09 Shkurt 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi dhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, z. Altin Sahiti, janë pritur sot në një takim nga Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, e shoqëruar nga Ndihmës Auditoret e Përgjithshme, znj. Emine Fazliu dhe znj. Myrvete Gashi, si dhe drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Analiza dhe Raportim, z. Ramadan Gashi.

Duke iu referuar rolit dhe punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), znj. Spanca foli për rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet publike me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe aftësimit profesional.

Ajo theksoi edhe nevojën e përfshirjes së akademisë në rritjen e cilësisë së auditimeve, në veçanti angazhimin e ekspertëve për fusha të veçanta të cilat mbulohen me auditime të performancës.  

Rektori Qerimi foli për përgjegjësitë dhe realizimin e detyrave të institucionit që drejton dhe vlerësoi lartë punën e ZKA-së. Znj. Spanca dhe z. Qerimi u dakorduan për avancimin e bashkëpunimit në fusha specifike me interes të përbashkët përmes nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit në të ardhmen e afërt.