Mbahet aktiviteti "Dita e Hapur me Rektorin"

09 Shkurt 2024
SHARE

Rektori Qerimi, në bashkëpunim me Klubin e Etikës të Fakultetit Juridik dhe studentët e këtij fakulteti, zhvilloi me sukses aktivitetin "Dita e Hapur me Rektorin" në zyrën e Qendrës së Karrierës së Universitetit të Prishtinës (UP).

Në këtë takim, u diskutua për arritjet, sfidat dhe vizionin për të ardhmen që po i pret studentët e UP-së. Gjatë këtij takimi, rektori Qerimi bëri një prezantim të detajuar mbi suksesin e përgjithshëm të UP-së dhe punën e kryer deri më tani. Studentët morën njohuri të reja lidhur me përparimet në shumë fusha të universitetit.

Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit me studentë, rektori ndau informacione thelbësore lidhur me përfitimet që ofrohen për studentët përmes programeve të ndryshme, duke përfshirë programet e reja, stafin akademik dhe aktivitetet e planifikuara për këtë vit. 

Ai theksoi rëndësinë e programit Erasmus+ dhe mundësive për punë praktike nëpër kompani dhe institucione vendore dhe ndërkombëtare. Studentët që morën pjesë në takim u shprehën të kënaqur dhe e falënderuan rektorin për mundësitë dhe përkushtimin ndaj përmirësimeve në universitet. Ata u inkurajuan nga perspektiva pozitive dhe krahasimet e favorshme me universitetet e tjera evropiane.

Ky takim në zyrën e Qendrës së Karrierës, jo vetëm që intensifikoi lidhjet ndërmjet studentëve dhe administratës së UP-së, por gjithashtu nxiti përgjegjshmërinë dhe krenarinë e studentëve për të qenë pjesë e një institucioni modern dhe konkurues.