UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës

01 Shkurt 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës (UP) sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës (KKK).

Ky memorandum ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit shkencor dhe promovimin e njohurive në disiplinat kirurgjike dhe fushat tjera në Kosovë, rajon dhe më gjerë, ku një nga pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje është angazhimi për publikimin e përbashkët në revistën kirurgjike "Kosova Journal of Surgery".

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori, prof. Qerim Qerimi, dhe dr. Sadik Llullaku. Në deklaratën e tyre pas nënshkrimit, ata theksuan se janë të përkushtuar për zbatimin e përpiktë të këtij memorandumi.

Në një lidhje virtuale, prof. dr. Rifat Latifi, kryetar i KKK-së dhe kryeredaktor i KJS-së, vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe theksoi se ky memorandum shënon fillimin e një kapitulli të ri akademik për UP-në dhe KKK-në.

Në takimin zyrtar, të pranishëm ishin edhe prof. Sefer Avdiaj, prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion, dhe prof. Gentrit Berisha, të cilët kanë përcjellë me interes zhvillimet e këtij bashkëpunimi dhe kanë shfaqur mbështetjen e tyre për suksesin e kësaj nisme të rëndësishme për mjekësinë dhe arsimin e lartë në vend.