Profesorë dhe studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Fakultetit Filozofik (Departamenti i Antropologjisë dhe Sociologjisë) morën pjesë në punëtorinë 3 ditore (25-27 janar 2024) për konceptimin kuratorial të ekspozitës / muzeut në Kompleksin Memorial/Qendrën e Kujtesës së Masakrës së Krushës së Madhe, në Krushë të Madhe.
Më 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe, janë vrarë 241 civilë dhe janë zhdukur me dhunë 64 të tjerë. Në vitin 2021-2022, stafi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe profesorët e studentët e UP-së, kryesisht të Departamentit të Antropologjisë dhe Sociologjisë (por edhe të fakulteteve të tjera), me përkrahje të MKRS-së, Ambasadës Amerikane, Komunës së Rahovecit dhe vetë banorëve të Krushës së Madhe, kanë mbledhur 202 intervista me të mbijetuarit e masakrës, në kuadër të projektit “Kujtesa e Kosovës: rrëfimet e të mbijetuarave të masakrës së Krushës së Madhe”.
Projekti qe menaxhuar nga stafi i BKK-së dhe mentoruar nga stafi i Departamentit të Antropologjisë /FF/UP.
Gjatë muajve të fundit, një grup punues i përbërë nga një numër i madh përfaqësuesish nga Departamenti i Antropologjisë/Fakulteti Filozofik (UP), Fakulteti i Arkitekturës (UP), Krusha e Madhe, Komuna e Rahovecit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, CHWB, MKRS e QRTK-Prizren, bashkë me aktivistët dhe këshillin e fshatit Krushë e Madhe, nisën punën për të realizuar ekspozitën në Kompleksin Memorial të Masakrës së Krushës së Madhe, në Krushë të Madhe dhe peizazhin kujtesor të fshatit.
Punëtoria e fundit ishte produktive dhe vendimtare. Për tri ditë rresht (25-27 janar 2024) në Krushë të Madhe, në ambientet e koperativës/fabrikës së z. Fahrije Hoti, në kuadër të grupit të gjerë punues, profesorët e studentët e UP-së, nga Fakulteti i Arkitekturës, prof. Florina Jerliu, prof. Ardita Byci-Jakupi, prof. Kaltrina Thaçi, asistentët Denis Dalladaku dhe Endrit Mecini, studentët Ari Nekoviqi, Alban Markaj, Eurta Salihu dhe Ylljon Kurti dhe profesorët dhe studentët e Fakultetit Filozofik, prof. Arsim Canolli, prof. Tahir Latifi, hulumtueset/studentet Valentina Krasniqi, Ridona Berisha, Çlirimtare Januzaj, Flaka Berisha dhe Tringa Sefedini, duke punuar së bashku me aktivistët dhe këshillin e fshatit Krushë e Madhe, arritën të realizojnë konceptin kuratorial dhe tematik, por edhe pamjen e skenës së ekspozitës ku do të vendosen materiale e kujtesës dhe artefaktet e tjera.
Ekspozita do të hapet më 26 mars 2024, në 25 vjetorin e masakrës. Ky koncept u prezantua edhe para krushjanëve në ditën e fundit të punëtorisë, në projektime skematike dhe 3D, ku pati diskutime të frytshme.
Edhe gjatë kësaj punëtorie, sikurse në raste të mëhershme, u dëshmua se bashkëpunimi ndërdisiplinar mes fakulteteve dhe departamenteve në UP, në këtë rast mes arkitekturës dhe antropologjisë kulturore, është më se i nevojshëm. Universiteti i Prishtinës ka kapacitete të projektojë e të realizojë projekte të mirëfillta shkencore, profesionale e infrastrukturore.