UP-ja dhe MPB-ja nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

25 Janar 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Punëve të Brendshme nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. 

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe ministri  i Punëve të Brendshme,  z. Xhelal Sveçla.

Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ishin edhe prorektorja Basha-Jakupi, sekretari i UP -së z. Krasniqi, dhe zv.ministri i MPB-së, z. Bardhyl Dobra.

Qëllimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit është përcaktimi i bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të agjencive të saj, për angazhimin e personelit të UP-së në procedurat rekrutuese në shërbimin civil si dhe angazhimin e studentëve të UP-së në punë praktike në MPB.

Angazhimi i personelit të UP-së do të ofrojë ndihmë në hartimin e fondit të pyetjeve të organizuara sipas nivelit të ndryshëm të kompleksitetit dhe kërkesave të përgjithshme si: njohuritë, aftësitë dhe cilësitë e nevojshme për kryerjen e punës, me qëllim vlerësimin e njohurive dhe cilësive profesionale të kandidatëve që u nënshtrohen procedurave rekrutuese në shërbimin civil.

Angazhimi i personelit të UP-së do të bëhet varësisht prej profilit dhe ekspertizës profesionale, në komisionet e pranimit për zhvillimin e procedurave rekrutuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu Ministria e Punëve të Brendshme pajtohet të angazhojë në punë praktike profesionale gjashtëqind (600) studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përgjatë një periudhe prej nëntë (9) muajsh brenda një viti, gjegjësisht nga njëqind e pesëdhjetë (150) studentë në tre (3) muaj, prej të cilëve 100 të Fakultetit Juridik, 30 të Fakultetit Ekonomik dhe 10 të fakulteteve tjera sipas interesimit të studentëve.

Rektori Qerimi theksoi se ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt vlerave demokratike në institucionet e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në marrëveshjen e përbashkët shprehet gatishmëria për bashkëpunime të tjera edhe në të ardhmen.

Marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar në ambientet e MPB-së.