Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka filluar me takimet me trupën këshilldhënës, ku TK shërben si mekanizëm komunikimi që inicon dialogun dhe bashkëpunimin në mes të sektorit privat dhe akademisë në aspektin e përditësimit të programeve të studimeve dhe përputhjes së kurrikulave me kërkesat e tregut.
Prof. Dr. Ass. Njomza Llullaku, Prorektore për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve në fjalën e saj nënvizoi planin e universitetit për krijimin dhe zbatimin e programit të punës praktike për studentët si “Praktika universitare”, si dhe krijimin e një platforme online të karrierës që do t'u mundësojë studentëve të lidhen dhe të aplikojnë drejtpërdrejt me kompanitë dhe punëdhënësit e mundshëm. Poashtu, theksoi rëndësinë e ligjëratave si “ligjërues të ftuar”, ku mund të ftohen ekspertë të fushës profesionale nga sektori i biznesit dhe studentët jo vetëm që do të kenë mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me ekspertët, por edhe të mësojnë nga përvoja dhe ekspertiza e tyre profesionale.
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Prof.Dr. Bedri Dragusha vlerësoi kontributetet e trupës këshillëdhënëse në përditësimin e programeve në mënyrë që të reflektohen kërkesat e tregut.
UP falënderon shumë trupat këshillëdhënës të njësive akademike për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj universitetit.