Universiteti i Prishtinës dhe KEDS nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.

09 Nëntor 2023
SHARE

Marrëveshja e bashkëpunimit do të mundësojë bashkëpunim në fushat për Energji, Mjedis dhe Lidership e që ka për qellim zhvillimin e njohurive, shkathtësive për studentë me qëllim të arritjes së kompetencave si profesionist të së ardhmes dhe njëkohësisht zhvillimit të shkathtësive profesionale të parapara në kurrikulën e vitit të fundit të studimeve.
Programi do të ofrojë mundësi për të mësuar për bazat e sistemit elektroenergjetik, përgjegjësinë sociale dhe edukimin për energjetikë, si dhe për të kuptuar qartë rolin e ndërmjetësimit energjetik dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik të një vendi.
Nënshkrimi i marrëveshjes nga Universiteti i Prishtinës është bërë nga rektori Qerim Qerimi, dhe nga Drejtoresha e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri brenda Universitetit të Prishtinës, prof. Majlinda Daci, ndërsa nga KEDS është nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv z. Alpin Dogan.
Në nënshkrimin e marrëveshjes të pranishëm ishin edhe prorektorja për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe çështje të studenteve prof. Njomza Llullaku, dhe këshilltari i rektorit për marrëdhënie me publikun z. Irfan Nikçi
Rektori Qerimi e vlerësoi lartë këtë memorandum bashkëpunimi pasi bën lidhjen në mes të universitetit dhe sektorit energjetik, duke ofruar mundësi te reja trajnimi dhe punësimi për studentet e fushave përkatëse.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua në ambientet e rektoratit të Universitetit të Prishtinës