Fakulteti i Arkitekturës mban takimin e trupit këshillëdhënës

18 Shtator 2023
SHARE

Më 14 shtator 2023, në Foajenë e Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës, u mbajt takimi i radhës i Trupit Këshillëdhënës të Fakultetit të Arkitekturës. Takimin e hapi dekanja e FA-së, prof. Violeta Nushi, e cila shprehu mirënjohjen e saj dhe stafit të fakultetit ndaj interesimit të përfaqësuesve të tregut të punës, përkatësisht anëtarëve të trupit këshillëdhënës, për të kontribuar me pjesëmarrjen e tyre në takim. Me një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtua edhe prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku, e cila theksoi përkushtimin e UP-së në zhvillimin e bashkëpunimit më të fortë me tregun e punës dhe pritshmëritë e menaxhmentit për rezultatet konkrete të takimeve të TK-ve.

Kryetarja e TK-së në Fakultetin e Arkitekturës, njëkohësisht edhe përfaqësuese e kompanisë Studio LINKS 4, znj. Nafije Gashi, theksoi nevojën e krijimit të databazave të CV-ve të studentëve, në të cilat mund të kenë qasje kompanitë e interesuara për praktikantë ose punëtorë. Ndër të tjera, anëtari i TK-së, përfaqësues i kompanisë M-Technology, z. Rrahman Sopa, tregoi se tashmë kompania e tij i është përgjigjur pozitivisht pyetësorit të UP-së, i cili ka qëllim të analizojë nevojën e tregut të punës për praktikantë dhe format e zhvillimit të një sistemi formal të punës praktike në UP.

Në takim ishin të pranishëm edhe prodekanja për çështje mësimore në FA, prof. Vlora Navakazi, shefat e programeve, sekretarja e fakultetit, koordinatorja e cilësisë, stafi i ZZhA-së dhe QZhK-së, si dhe anëtarët tjerë të TK-së, si znj. Ilirjana Loshi-Blakaj nga Alumil Kosovo, z. Masar Dushi nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, z. Roland Peraj nga Komuna e Prishtinës, z. Salih Shoshi nga CHwB, z. Fazli Gajraku nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës si dhe z. Nexhat Jashari nga GIZ-i.

Trupi Këshillëdhënës në Fakultetin e Arkitekturës është themeluar më 1 nëntor 2022.