Nis punimet Kongresi i Tetë Ndërkombëtar i Shkencave të Biologjisë së Aplikuar

13 Shtator 2023
SHARE

Në Universitetin e Prishtinës ka nisur sot Kongresi i Tetë Ndërkombëtar i Shkencave të Biologjisë së Aplikuar, i organizuar në partneritet me Eskisehir Osmangazi University nga Turqia.

Rreth 80 pjesëmarrës nga Kosova, Turqia, Shqipëria, Çekia dhe Gjermania u mblodhën në UP, për të prezantuar dhe dëgjuar më të rejat e hulumtimeve nga fusha e Gjenetikës, Mjekësisë, Farmacisë, Biologjisë Molekulare, e të tjera.

Punimet e kongresit i përshëndeti rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili u shpreh i lumtur që po i sheh frytet e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Universitetit Eskisehir Osmangazi. “Për të gjithë profesionistët dhe studiuesit e rinj, ju inkurajoj të përfitoni nga ky kongres si një mundësi jo vetëm për të shkëmbyer dhe përvetësuar njohuri, por për të krijuar lidhje, për të bashkëpunuar dhe për të frymëzuar njëri-tjetrin,” theksoi rektori Qerimi.

Në anën tjetër, prof. dr. Mujgan Ozdemir Erdogan, presidente e komitetit organizativ të kongresit, e falënderoi UP-në për bashkëpunimin dhe i inkurajoi pjesëmarrësit që të angazhohen aktivisht për të marrë më të mirën nga kjo përvojë.

Pjesëmarrësit në kongres i përshëndetën edhe prorektori për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion, prof. dr. Sefer Avdiaj, i cili e theksoi dedikimin e UP-së për investime në shkencë, si dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore, prof. dr. Idriz Vehapi, që u shpreh i lumtur për faktin që ky kongres po zhvillohet në FSHMN dhe ka sjellë në Kosovë shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës.

Për rëndësinë e temave që do të diskutohen gjatë këtyre dy ditëve të këtij kongresi, të pranishmit u informuan nga profesorët, Ilir Mazreku dhe Armond Daci, për të vazhduar më pas me prezantimet e hulumtimeve nga pjesëmarrësit.

Kongresi do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme me prezantime orale dhe posterë. Për agjendën e plotë të kongresit, kliko KËTU.