Përparime të reja në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe rrjetit shkencor ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Norvegjisë

07 Shtator 2023
SHARE

Takimi informativ është mbajtur në Universitetin e Prishtinës për të fuqizuar bashkëpunimin akademik dhe rrjetin shkencor ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë si një hap i rëndësishëm drejt nxitjes së bashkëpunimit dhe zgjidhjeve inovative në fushën e bioekonomisë.

Të pranishëm në këtë takim ishin rektori Qerim Qerimi, prorektorja Njomza Llullaku, z. Imri Demelezi, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dr. Birger Vennesland, shef i departamentit NIBIO- Ekonomi dhe Shoqëri,  përfaqësues të BE-së dhe mysafirë të ftuar. 

Rektori Qerimi theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi akademik, duke theksuar se ai jo vetëm pasqyron forcën e përpjekjeve akademike dhe kërkimore, por gjithashtu mban potencialin për të formësuar të ardhmen e bioekonomisë në rajon. “Kombinimi i ekspertizës së Institutit Norvegjez të Kërkimeve Bioekonomike (NIBIO) me përkushtimin e Universitetit të Prishtinës premton të ofrojë njohuri dhe zgjidhje inovative që mund të adresojnë sfidat bioekonomike në mënyrë efektive”, nënvizoi rektori Qerimi.

Më tej, rektori Qerimi shprehu përkushtimin e universitetit jo vetëm për nxitjen e bashkëpunimit por edhe për të siguruar që ai të japë rezultate të prekshme. 

Të pranishmëve ju drejtuan dhe zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Imri Demelezi dhe dr. Birger Vennesland - shef i departamentit NIBIO- Ekonomi dhe Shoqëri.

Gjatë takimit informativ u mbajtën prezantime nga dr. Tove Vaaje-Kolstad për Kilden (i cili mbledh të dhënat e institutit NIBIO në një vend), znj. Adelina Maksuti nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e BE-së për bujqësinë në Kosovë.

Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, me potencial për të nxitur ndryshime pozitive në fushën e bioekonomisë në rajon.