U mbajt një sesion informues mbi financimin e BE-së për iniciativat kërkimore

11 Korrik 2023
SHARE

Sot u mbajt sesioni informues për fondet për projektet kërkimore të BE-së, përkatësisht Horizon Europe, program i BE-së për hulumtim dhe inovacion për vitet 2021-2027.

I pranishëm në këtë sesion informues ishte rektori i Universitetit të Prishtinës, dr. Qerim Qerimi, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. dr. Arta Basha Jakupi, znj. Qamile Sinanaj nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, prof. Gentrit Berisha si dhe dekanë të fakulteteve në Universitetin e Prishtinës.

Si institucioni më i vjetër dhe më i rëndësishëm  i arsimit të lartë në Kosovë, fondet e BE-së janë një një burim i rëndësisë thelbësore për universitetin, theksoi rektori Qerimi. Sipas rektorit, ato ndihmojnë të avancojnë mësimin, kërkimin dhe inovacionin, ndërkohë që përmirësohet pozicioni i universitetit si një qendër prestigjioze e të mësuarit.

Rektori Qerimi vlerësoi fokusin në studimet e doktoraturës për financime të tilla, duke vënë në pah një iniciativë modeste të bërë së fundmi për këto studime, ku me statutin e ri, doktorantët tashmë mund të angazhohen në çështje mësimore dhe kërkimore.

Ndërsa prorektorja Basha Jakupi vlerësoi potencialin e universitetit për rritje që mund të lehtësohej nga këto fonde.

Një prezantim i shkurtër mbi tiparet e përgjithshme të programit Horizon Europe dhe fondet e akorduara nga ky program u bë nga znj. Sinanaj nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Sipas informacioneve të znj. Sinanaj, Horizion Europe, programi kryesor i financimit të BE-së për kërkimin dhe inovacionin, ka një buxhet prej 95.5 miliardë euro. Ai promovon bashkëpunimin dhe rrit ndikimin e kërkimit dhe inovacionit në krijimin, zbatimin dhe mbështetjen e politikave të BE-së duke adresuar sfidat globale.