Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka takuar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Rektori, në këtë vizitë, ishte i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi, zyrtarja për çështje akademike, Sinavere Ukshini, dhe zyrtarja për protokoll në UP, Sebahate Neziri.
Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit të FFK-së me UP-në, veçmas me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, dhe u arrit dakordimi që këto dy institucione të realizojnë një bashkëpunim më të ngushtë, me ҫ’rast, si rrjedhojë, në ditët në vijim do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi.
Rektori Qerimi e përgëzoi kreun e FFK-së për punën e tij dhe arritjet që janë bërë deri tash në futbollin e Kosovës. Duke marrë parasysh të përbashkëtat e shumta që i ndërlidhin të dy institucionet, presidenti Ademi dhe rektori Qerimi shprehën nevojën e bashkëpunimit sa më të ngushtë në të ardhmen, me qëllim të përfaqësimit sa më të madh të rinisë studentore në futboll.
UP-ja, në kuadrin e aktiviteteve të saj, është vazhdimisht në mbështetje të sportit, me ҫ’rast ditëve të fundit ka organizuar edhe promovimin e dokumentarit të kampionit mbarëkombëtar në boks, Robin Krasniqi.
