Prezantohet drafti i Planit Strategjik të Universitetit të Prishtinës 2023 - 2027

26 Maj 2023
SHARE

Grupi punues për hartimin e Planit Strategjik 2023-2027 të Universitetit të Prishtinës, prezantoi draftin e dokumentit strategjik para anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe dekanëve të fakulteteve. Ky plan strategjik përmban vizionin dhe objektivat e Universitetit të Prishtinës për një periudhë pesëvjeçare.

Takimin e përshëndetën rektori Qerim Qerimi, prorektoria Arta Basha-Jakupi, në rolin e kryesueses së grupit punues, z. Aqim Emurli, udhëheqës i projektit HERAS plus, profesori Naser Kabashi si anëtar i grupit punues, si dhe Kristiina Tõnnisson dhe Jeton Mehmeti, ekspertë të rekrutuar nga projekti HERAS plus, të cilët kanë dhënë një kontribut të vlefshëm në këtë proces duke ofruar një perspektivë ndërkombëtare në lidhje me vlefshmërinë dhe formatin e prezantimit.

Procesi i hartimit të këtij dokumenti është rezultat i përpjekjeve të një grupi të përbërë nga specialistë të fushave të ndryshme, të angazhuar në hartimin e Planit Strategjik në përputhje me nevojat dhe sfidat aktuale të universitetit.

Përmes diskutimeve konstruktive dhe kontributeve të ndryshme nga të gjithë pjesëmarrësit, është siguruar që Plani Strategjik i Njësive Akademike të përafrohet me Strategjinë e Përgjithshme të Universitetit të Prishtinës, duke garantuar që të dyja dokumentet të jenë në harmoni dhe të lidhura me qëllimet institucionale.

Publikimi i këtij dokumenti strategjik paraqet një hap të rëndësishëm drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta të Universitetit të Prishtinës. 

Ky Plan Strategjik parashihet të ndihmojë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e institucionit, duke iu përgjigjur sfidave të ndryshme në fushën akademike dhe duke përmirësuar përvojën e studentëve dhe personelit akademik.