Shënohet 50-vjetori i themelimit të Departamentit të Orientalistikës

24 Maj 2023
SHARE

Dje, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, është shënuar 50-vjetori i themelimit të Departamentit të Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës.

Përveç profesorëve, studentëve dhe të diplomuarve në këtë departament, në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, z. Sabri Tunç Angılı, ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, z. Faisal Ismail Hifzi, dhe udhëheqës të institucioneve shkencore dhe hulumtuese.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit të Prishtinës tha se ndihet i lumtur që sot është pjesë e festës së 50-vjetorit të themelimit të Departamentit të Orientalistikës, i cili është njëri nga departamentet më të vjetra të Universitetit të Prishtinës. Ai shtoi se Departamenti i Orientalistikës, i themeluar në vitin 1973, ka arritur të sjellë një mori veprash shkencore dhe kulturore, si dhe të arsimojë orientalistë, të cilët, gjatë këtyre viteve, kanë dhënë kontribute të vlefshme për zbardhjen e trashëgimisë orientale.

Të pranishmit në këtë ceremoni, në emër të Fakultetit të Filologjisë, i përshëndeti prof. dr. Milote Sadiku, prodekane e këtij fakulteti, e cila, ndër të tjera, theksoi se rëndësia e Orientalistikës qëndron në atë se studentët që përfundojnë studimet në këtë departament kanë mundësi të njihen me gjuhët dhe kulturat e popujve të Orientit, të mësojnë për trashëgiminë kulturore orientale në Ballkan dhe rajonet shqiptare, si dhe të pajisen me dije dhe njohuri për interpretimin e shumë fenomeneve kulturore e politike që ndërlidhen me Orientin.

Ndërsa ambasadori turk në Prishtinë, z. Angılı, në fjalimin e tij, pohoi se Ballkani ka pasur një ndikim shumë serioz në traditën e mendimit dhe në menaxhimin e shtetit në Perandorinë Osmane. Ai gjithashtu deklaroi se shqiptarët në të kaluarën kanë pasur një ndikim të madh edhe në rajonin e Ballkanit.

Në fund të ceremonisë, profesorëve të Departamentit të Orientalistikës, prof. dr. Feti Mehdiu, prof. dr. Ismail Ahmedi, prof. dr. Iljaz Rexha, prof. dr. Muhamed Mufaku, prof. dr. Mehdi Polisi, prof. dr. Abdulla Amidi, prof. dr. Isa Memishi iu dha nga një mirënjohje, në shenjë falënderimi për punën dhe veprën e tyre në departament dhe në studimet orientale.

Në kuadër të programit të 50-vjetorit të themelimit të Orientalistikës u mbajt edhe tryeza shkencore me temë “50 vjet studime orientale në Universitetin e Prishtinës”, ku u trajtuan kontributet, arritjet, sfidat dhe aktualiteti i studimeve orientale.

Në shënimin e këtij përvjetori, të pranishmit patën rastin të shohin edhe ekspozitën me vepra kaligrafike arabe të Ejmen Hasanit, student i nivelit MA në Departamentin e Orientalistikës.