Themelohet revista shkencore “Psychological Well-being: Research and Interventions - PWRI”

19 Maj 2023
SHARE

Këshilli i Fakultetit Filozofik ka përkrahur iniciativën e Departamentit të Psikologjisë për themelimin e revistës shkencore psikologjike të emërtuar “Psychological Well-being: Research and Interventions - PWRI” . 

Kjo revistë është produkt i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Universitetit të Prishtinës, IBCM-it dhe IREDS-it, si dhe është mbështetur nga ResearchCULT Erasmus+ Project. Punimet do të kalojnë përmes procesit të recensionit anonim dhe do të mbulojnë shkencat sociale, veçanërisht ato që sjellin rezultate, të cilat implikojnë ndryshime në komunitet. Revista do të publikohet dy herë në vit. 

PWRI ka për qëllim të sigurojë një forum diskutimi dhe promovimi të kërkimeve dhe ndërhyrjeve më të fundit në lidhje me mirëqenien psikologjike. Revista do të fokusohet në shëndetin mendor, stresin, mekanizmat e përballimit dhe vlerësimin dhe përmirësimin e mirëqenies në individë dhe komunitete. Revista synon të promovojë integrimin e kërkimit dhe praktikës në mirëqenien psikologjike, duke u përqendruar në botimin e artikujve kërkimorë origjinalë dhe rishikimeve (reviews), që trajtojnë tema të tilla si:

• Vlerësimi dhe matja e mirëqenies psikologjike,

• Faktorët që kontribuojnë në mirëqenie dhe mirëqenien psikologjike,

• Zhvillimi, zbatimi dhe vlerësimi i ndërhyrjeve, programeve dhe politikave, që synojnë promovimin e mirëqenies psikologjike,

• Studimi i marrëdhënieve ndërmjet mirëqenies psikologjike dhe variablave të tjerë si shëndeti fizik, statusi socio-ekonomik dhe kultura,

• Përkthimi i gjetjeve të hulumtimit në praktikë dhe politika,

• Ekzaminimi dhe matja e efektivitetit dhe sfidave të mundshme të ndërhyrjeve dhe programeve, që synojnë promovimin e mirëqenies psikologjike.

Revista PWRI do të fokusohet gjithashtu në kërkime dhe ndërhyrje, që lidhen me mirëqenien psikologjike në kontekste specifike si shkolla, komuniteti dhe vendi i punës.