Mbahet Konferenca e Departamentit të Psikologjisë

19 Maj 2023
SHARE

Sot ka mbyllur punimet Konferenca Ndërkombëtare “Shëndeti Mental në Shkollë: Intervenimet e Bazuara në të Dhëna” e organizuar nga Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Rektori Qerim Qerimi mori pjesë dhe përshëndeti të pranishmit në këtë konferencë, e cila këtë vit shënoi edicionin e parë, por që planifikohet të jetë një organizim i përvitshëm. 

Rektori Qerimi përgëzoi profesorët, studiuesit dhe studentët për organizimin e konferencës, duke theksuar rëndësinë e shëndetit mental në përgjithësi dhe shëndetit mental në shkolla për të gjithë shoqërinë. Rektori Qerimi inkurajoi dhe shprehu mbështetjen e Universitetit të Prishtinës për aktivitete të tilla dhe bëri thirrje për të punuar së bashku për të tejkaluar sfidat e përbashkëta. 

Prof. Asoc. Dr. Kaltrina Kelmendi, Shefe e Departamentit të Psikologjisë, falënderoi Rektorin Qerimi për praninë dhe mbështetjen, duke theksuar faktin, që konferenca financohet tërësisht nga Universiteti i Prishtinës, gjë që tregon vëmendjen gjithnjë e më të madhe të këtij institucioni ndaj shkencës.