Në UP mbahet Konferenca e Parë e Përdoruesve të Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim

17 Maj 2023
SHARE

Në ambientet e Universitetit të Prishtinës është mbajtur Konferenca e Parë e Përdoruesve të Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim (KREN), e cila do t’i shërbejë komunitetit për hulumtim, edukim si dhe përdoruesve të KREN-it për rrjetëzim, informim dhe zhvillim.

Konferenca mblodhi së bashku ekspertë nga fusha dhe entuziastë të teknologjisë nga i gjithë vendi, për të eksploruar tendencat dhe risitë më të fundit në arsimin digjital.

Punimet e kësaj konference i përshëndeti rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi. Ai, në fjalën e tij hyrëse, theksoi rëndësinë e përqafimit të teknologjive digjitale në arsim dhe vlerësoi përpjekjet e KREN-it në nxitjen e bashkëpunimit dhe inovacionit. Ai theksoi rëndësinë e sigurimit të studentëve me mjetet dhe burimet e nevojshme për të shkëlqyer në një botë me zhvillim të shpejtë. “Bashkë, mund të hapim rrugën drejt një të ardhmeje ku çdo fëmijë në Kosovë ka qasje në arsim cilësor, pa marrë parasysh vendndodhjen e tyre. Një të ardhme ku vendi ynë ngrihet lart në skenën globale, jo vetëm si pjesëmarrës në revolucionin digjital, por si një udhëheqës dhe inovator,” theksoi ai.

Fjalë rasti në hapjen e konferencës adresuan edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve arsimore e shkencore në vend dhe rajon.

Konferenca ka vazhduar me diskutime rreth menaxhimit dhe implementimit të mësimit online, avancimeve teknologjike në edukim, përdorimin e teknologjisë për lehtësim të tranzicionit nga arsimi në biznes, e sesione të tjera, pjesë e të cilave ishin edhe studiues dhe studentë nga Universiteti i Prishtinës.