Prorektorja Basha – Jakupi, pret në takim zëvendës-presidentin e Universitetit të Iowas

30 Prill 2023
SHARE

Prorektorja për ndërkombëtarizim në Universitetin e Prishtinës, Arta Basha-Jakupi, ka pritur në takim Rusell Ganim, zëvendës-presidentin dhe dekanin e Programeve Ndërkombëtare në Universitetin e Iowas, me të cilin diskutuan mënyra për të thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit, krahas projektit tashmë të fituar nga USAID-i, për fuqizimin e partneritetit me sektorin privat.

Në takim, të dyja palët shprehën interes për të nxitur shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik ndërmjet të dyja universiteteve dhe për të krijuar programe bashkëpunuese në fusha të ndryshme, si: teknologjia, shkencat sociale dhe biznesi.

Ganim theksoi se Universiteti i Iowas ka një histori të gjatë të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe është i gatshëm të ndihmojë në zhvillimin e projekteve bashkëpunuese me universitetet në Kosovë. Në anën tjetër, prorektorja Basha-Jakupi falënderoi Universitetin e Iowas për mbështetjen dhe interesin për të zhvilluar bashkëpunimin akademik me UP-në, duke theksuar qe ka një interes të madh për të zgjeruar shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik.