Dhurohen bursa për studentët e UP-së – rektori Qerimi i ndan mirënjohje donatorit

26 Prill 2023
SHARE

Sot, rektori Qerim Qerimi, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti, ka pritur në takim dr. spec. Metë Shatrin, pronar i ordinancës stomatologjike “Dentline”, i cili ka dhuruar 10 bursa, në vlerë prej 500 euro secila, për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Përfitues të bursave, në vlerë totale prej 5 mijë euro, ishin studentët e dalluar të njësive akademike të Universitetit të Prishtinës.

Rektori Qerimi e vlerësoi lart kontributin e dr. Shatrit për të rinjtë, teksa theksoi që ky donacion është shumë i mirëpritur për studentët, edhe nga fakti që i njëjti vjen nga një ish-student i UP-së. “Në të vërtetë nuk ka ndonjë investim më të mirë sesa ai që bëhet te studentët, te gjeneratat e reja, andaj e çmojmë jashtëzakonisht shumë veprimin e dr. Shatrit”, theksoi rektori Qerimi. Ai po ashtu përgëzoi studentët përfitues për suksesin e dalluar akademik, duke shpresuar që ky akt të shërbejë si një mekanizëm i vlerësimit të meritave të tyre dhe si nxitje që ata të vazhdojnë me këto rezultate.

Për ndihmesën e dhënë për studentët e UP-së, Qerimi i ndau mirënjohje dr. Shatrit.

I nderuar për pranimin e kësaj mirënjohjeje u shpreh vetë dr. Shatri. Ai theksoi se kjo nuk do të jetë iniciativa e fundit nga ana e tij, por njëherësh i inkurajoi edhe bizneset e tjera, që kanë mundësinë dhe vullnetin e mirë, të ndërmarrin hapa të njëjtë.

Përkrahja financiare dhe motivimi i studentëve gjatë studimeve është një aspekt shumë i rëndësishëm për vetë UP-në, për çka UP-ja ka marrë vendim këtë vit, që për të paren herë të ndajë bursa edhe për studentët e studimeve master dhe të doktoratës.