UP-ja nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit me Universitetin e Ajovas - synohet fuqizimi i partneritetit me sektorin privat

24 Prill 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me Universitetin e Ajovas, e cila ka për qëllim forcimin e arsimit të lartë përmes partneritetit me sektorin privat.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishin: rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, përfaqësues nga USAID-i dhe partnerë të tjerë.

Ky projekt, i cili mbështetet nga USAID-i, synon që përmes fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve akademike, të avancojë arsimin e lartë, si dhe do të përforcojë njohuritë e të rinjve për tregun e punës në sektorë të ndryshëm në vend.

Për rektorin Qerimi, kjo marrëveshje është dëshmi e një partneriteti të kamotshëm me Universitetin e Ajovas dhe pjesë e projektit për krijimin e një lidhje më të mirë ndërmjet programeve studimore dhe nevojave të tregut të punës. Duke vlerësuar lartë mbështetjen e Qeverisë Amerikane për këtë projekt, Rektori shprehu zotimin institucional për zbatim efikas të marrëveshjes.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, z. Kurti, tha që, përmes këtij projekti do të forcohen lidhjet mes universiteteve duke promovuar inovacion dhe rritje të ekonomisë. “Rritja e kapaciteteve analitike të universiteteve dhe qasjes në të dhënat e tregut të punës është kruciale për suksesin e studentëve tanë”, tha Kurti.

Ndërkaq, ambasadori Hovenier u shpreh i lumtur që studentët nga Kosova do të kenë mundësi që të kenë qasje në një edukim të mirëfilltë, në mënyrë që të kontribuojnë në shtetin e tyre dhe të jenë pjesë e një ekonomie moderne.

Në anën tjetër, Russell Ganim nga Universiteti i Ajovas-s, tha se ky projekt do të mundësojë një avancim në të gjitha industritë, duke ju mundësuar studentëve qasje më të lehtë në tregun e punës.

Pjesë e këtij projekti janë edhe Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Universiteti “Ukshin Hoti”.