Rektori Qerimi merr pjesë në konferencën vjetore të rektorëve të Asociacionit Evropian të Universiteteve

20 Prill 2023
SHARE

Konferenca vjetore e Asociacionit Evropian të Universiteteve, e mbledhur këtë vit në Universitetin e Teknologjisë të Gdanskut në Poloni, ka pasur për temë qendrore ndikimin e universiteteve në jetën komunitare dhe politikat publike në një kohë ndryshimesh të mëdha dhe, në shumë raste, edhe krizash. Në këtë konferencë po merr pjesë edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Qerim Qerimi.

Përmes një numri sesionesh të përziera, disa tradicionale dhe të tjerat ndërvepruese, rektorët e universiteteve evropiane kanë diskutuar dhe shqyrtuar aspekte të ndryshme të këtij ndikimi. Në këto diskutime, janë trajtuar një mori çështjesh, nga rangimet, ekselenca dhe kërkesa për cilësi, kontributi i universiteteve për politikat e gjelbra dhe zhvillimin e qëndrueshëm, roli i tyre qendror në inovacion dhe mbështetja për sistemet e arsimit të lartë. Në këtë kontekst, është shqyrtuar në veçanti roli i udhëheqjes së universiteteve në ofrimin e rezultateve në këto forma të ndryshme ndikimi.

Pjesë e agjendës së konferencës së EUA-së ka qenë edhe “tryeza e lidershipit”, e dedikuar për rektorët e universiteteve anëtare të Asociacionit, e konceptuar nën tematikën “Universitetet e së ardhmes: nga vizioni te ndikimi”. Kjo tryezë diskutimi ka ofruar një platformë për udhëheqësit e universiteteve që të shkëmbejnë idetë për atë se ku i shohin universitetet e tyre në dhjetë vitet e ardhshme dhe në cilat fusha duan që të shtrijnë ndikimin e tyre, si dhe cilat janë sfidat për të ushtruar këtë ndikim.

Në diskutimin e tij, rektori Qerimi ka theksuar se në një kohë ndryshimesh të shpejta dhe pasigurish në rritje, misioni kolektiv për t’i dhënë formë të ardhmes së arsimimit, kërkimit dhe inovacionit, nuk ka qenë asnjëherë më qendror. Duke folur për vizionin e tij konkret në lidhje me UP-në, rektori ka vënë theksin te nevoja për një institucion që përshtatet me rrethanat, është përfshirës dhe i rrënjosur në vlerat e shpërndarjes së dijes dhe bashkëpunimit. “Vizioni ynë është që të ndërtojmë një institucion që shërben si një qendër për kërkimin dhe inovacionin, që kultivon idetë origjinale për t’u bërë ballë sfidave të kohës. Në ndjekje të këtij vizioni, ne mbetemi të përkushtuar ndaj zhvillimit dhe integrimit të vazhdueshëm të teknologjive bashkëkohore, për të siguruar që studentët dhe stafi akademik janë të pajisur me mjetet që atyre u duhen për të shkëlqyer”, ka deklaruar, përveç tjerash, rektori i UP-së.

Për rolin e universitetit në dekadën që po vjen, ai ka artikuluar vizionin dhe preferencën për ndikim në fushat me përparësi si zhvillimi i qëndrueshëm, digjitalizimi, dhe përfshirja sociale, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. “Tutje, ne duam që të fuqizojmë studentët tanë me dije praktike dhe shkathtësi digjitale që janë të domosdoshme në tregun e sotëm të punës që po evoluon shpejt”, tha Rektori.

Universiteti i Prishtinës është anëtar i EUA-së, në mesin e më shumë se 850 universiteteve nga kontinenti. EUA-ja luan rol të rëndësishëm në procesin e Bolonjës, njëherësh në ndikimin e politikave të EU-së në arsimin e lartë, kërkimin dhe inovacionin.