Fjalim në Fakultetin Filozofik - në hapje të ligjëratës: “Jasharët e Prekazit dhe Epopeja e UÇK-së: Një skicë historike”

07 Mars 2023
SHARE

Kam kënaqësinë më të madhe t'ju mirëpres të gjithëve në ligjëratën e sotme të historisë për një ndodhi historike me vlera e pasoja të pamatshme për historinë e Kosovës. Sot pra jemi mbledhur për të dëgjuar ligjëratën: “Jasharët e Prekazit dhe Epopeja e UÇK-së: Një skicë historike” të kolegut tonë të Fakultetit të Filozofisë, Durim Abdullahut, një autor dhe studiues i ri, ekspertiza e të cilit në fushën e historisë ka kontribuar shumë në kuptimin tonë të historisë kulturore të Kosovës. Duke qenë edhe anëtar në Komisionin e Ekspertëve për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, kolegu Abdullahu gjatë vitit të fundit ka hulumtuar burimet dhe studiuar historinë e Jasharajve të Prekazit, si një punë akademike e tij, e cila ende po vazhdon edhe si një projekt afatgjatë kërkimor.

 

Kjo ligjëratë e sotme ka disa kuptime të rëndësishme për ne. Sigurisht, në një kuptim aktual institucional, ne duam të shpërfaqim kujdesin e duhur institucional për të kaluarën tonë historike. Në kuptim intelektual, ne manifestojmë mirënjohjen ndaj një ndodhie me pasoja vendimtare për aspiratën tonë kolektive të lirisë dhe mëvetësisë. Në dimensione të tjera humane, ne kujtojmë sakrificën më supreme të Familjes Jashari dhe heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një pamje më të gjerë historike, ne pra kujtojmë rëndësinë e kësaj sakrifice në arritjen e asaj që për shumë vende e popuj është provuar të jetë iluzore ose thjesht e pamundur, një mësim që është ngulitur në vetë strukturën e historisë së Kosovës.

Në këtë ndërlidhje, Familja Jashari, ka një vend të veçantë në zemrat dhe kujtesën tonë kolektive. Sakrifica e tyre për liri dhe dinjitet është simbol i shtetësisë së Kosovës. Sakrifica e Adem Jashari, kryeheroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me atë të familjes së tij, ishte qendrore në nxitjen dhe frymëzimin e popullit të Kosovë për të luftuar për lirinë e tij.

Derisa ne shënojmë dhe kujtojmë 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, le të kujtojmë edhe njëherë rëndësinë e sakrificës së pashembullt humane dhe heorike në arritjen e qëllimeve tona themelore për të jetuar të lirë dhe në dinjitet. Në hapësirën specifike në të cilën ndodhemi, kjo trashëgimi e çmueshme dhe krenare, përbën për ne një detyrim që, përmes dijes e kërkimit, të ndriçojmë dhe faktojmë të kaluarën tonë, të rikujtojmë e të mos harrojmë mësimet e saj, si dhe të ruajmë, zgjerojmë dhe avansojmë aspiratën e të jetuarit në liri dhe dinjitet.  

Faleminderit që u bashkuat me ne sot, dhe le të dëgjojmë autorin e ligjëratës së sotme.