Fjala e Rektorit në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore

23 Shkurt 2023
SHARE

Jam i gëzuar që sot jemi mbledhur për të shënuar një moment kaq të rëndësishëm: këtë të vënies së gurthemelit të godinës më të re të Universitetit të Prishtinës, pra asaj të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore. Me këtë, ne sot po nisim ndërtimin e hapësirave të reja për një fakultet i cili ka shkruar një histori disa dekadëshe të kontributit të pashoq në arsimimin e të rinjve e të rejave të këtij vendi. Mësimet e shkencave ekzakte në Universitetin e Prishtinës, datojnë që para themelimit të vetë Universitetit, në kohën kur ligjëratat janë zhvilluar në hapësirën e Fakultetit Filozofik, qysh në vitin 1962.

 

Për rëndësinë e pamatshme të kësaj hapësire që sot po inaugurojmë, na tregon shumë edhe fakti që në hapësirat e këtij fakulteti aktualisht studiojnë mbi 2 mijë të rinj e të reja, në dhjetëra programe studimore që ofron Fakulteti i Shkencave Matematike - Natyrore. 

 

Në këtë fakultet, të rinjtë tanë aftësohen për t’u bërë biologët, ekologët, kimistët, matematicienët, fizicientët, gjeografët më me zë në shoqërinë tonë dhe më gjerë, por edhe studiuesit e shkencave kompjuterike, programerët, zyrtarët e teknologjisë informative, profesione këto me shumë perspektivë për të rinjtë e të rejat, por edhe për zhvillimin strategjik të vendit.

 

Peshën e këtij momenti e shton edhe më tepër fakti që pjesa dërrmuese e studentëve në këtë Fakultet janë femra, përkatësisht rreth 75% e tyre, gjë e cila i ofron vend të rëndësishëm edhe zhvillimit të objektivit specifik të projektit, atij për adresimin e drejtë e të duhur të barazisë gjinore dhe kulturore, duke siguruar kështu, një hapësirë të mrekullueshme për studim dhe zhvillim akademik e profesional për studiueset në këtë fakultet.

 

Duke ndërtuar hapësirat e reja përmes këtij projekti, ne po i kontribuojmë modernizimit të arsimit të lartë në Kosovë, ngritjes së kapaciteteve hulumtuese të studentëve dhe stafit, promovimit të barazisë gjinore, përfshirjes dhe hapësirave të përputhshme me aspiratat tona mjedisore. Me laboratorët e pajisur, hapësirën e jashtme të përbashkët, dhe veçoritë për ruajtje të energjisë, kjo ndërtesë paraqet njërën ndër më bashkëkohoret, jo vetëm të Universitetit të Prishtinës, por edhe të kryeqytetit dhe Kosovës në përgjithësi.

 

Por, sigurisht, rëndësinë dhe gjallërinë e vërtetë ndërtesave ua dhurojnë vetë studentët, ata të cilët përherë kanë qenë prijës të ndryshimeve pozitive ne shoqërinë tonë dhe ata që pareshtur na bëjnë krenarë me sukseset e tyre.

 

Në këtë rast, dëshiroj që të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata pa të cilët një ndërmarrje kaq e fisme dhe monumentale për studentët dhe stafin tonë nuk do të ishte e mundur: Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për mbështetjen, Bashkimin Evropian për fondet gjeneroze, Komunën e Prishtinës për dhënien në shfrytëzim të tokës, UNOPS-in për marrjen përsipër të zbatimit të punimeve, si dhe veç e veç të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e kësaj dite. Njëherësh, dëshiroj të uroj studentët dhe stafin, të cilët në vitin 2024, do të nisin rrugëtimin e tyre akademik në këto hapësira moderne që kjo ndertesë do të ofroj.

 

Universiteti i Prishtinës e ka mbështetur këtë projekt, edhe materialisht, dhe sigurisht do të vazhdojmë të punojmë shumë deri në finalizimin e suksesshëm të tij. Urime!