UP-ja dhe Caritasi Zviceran do të bashkëpunojnë në projektin për zhvillim të arsimit

13 Prill 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi dhe drejtori i Caritas-it Zviceran në Kosovë, Mr. Gerhard Schaumberger, kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në kuadër të projektit TAKE -  Avancimi i Përbashkët i Trajnimeve dhe Punësimit në Sektorin e Arsimit në Kosovë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, UP-ja, përkatësisht Fakulteti i Edukimit dhe Caritas-i, do të bashkëpunojnë në zbatimin e aktiviteteve në kuadër të TAKE, me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ofrimin e shërbimeve në arsimin parafillor në Kosovë.

Memorandumi parasheh që UP-ja dhe Caritas-i të bashkëpunojnë në krijim e një qendre didaktike në kuadër të Fakultetit të Edukimit, në realizimin e trajnimeve dhe punëtorive për praktikat pedagogjike, në angazhimin e studentëve në punë praktike në institucione të fëmijërisë së hershme, në vizita studimore, e të tjera aktivitete relevante dhe të dobishme për arritjen e synimeve të projektit.

Ky projekt do të pasuroj gamën e programeve dhe filozofive të ndryshme në zhvillimin e fëmijëve që ka realizuar Fakulteti i Edukimit në vitet e fundit, njëherësh nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet edhe një rast tjetër të ofrimit të shërbimeve dhe ekspertizës së UP-së në çështje dhe kauza të rëndësisë së lartë për komunitetin.