Laboratori i Historisë Orale në UP – hapësira e dedikuar për regjistrim të kujtesës kolektive 

28 Mars 2023
SHARE

 

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, i shoqëruar nga prorektorët, prof. dr. Sefer Avdiaj, prof. dr. Arta Basha-Jakupi dhe prof. asoc. dr. Pranvera Breznica, ka vizituar hapësirat e reja dhe moderne të njësisë më të vjetër në UP, Fakultetit Filozofik.

Në këtë vizitë, së bashku me menaxhmentin e këtij fakulteti, të prirë nga dekani, prof. asoc. dr. Dashamir Berxulli, biseduan rreth planeve të përbashkëta për përmirësimin e infrastrukturës, investimeve në laboratorë dhe çështje të tjera, të cilat janë premisa për ngritjen e cilësisë së punës me studentë.

Në kuadër të Filozofikut tashmë është kompletuar edhe laboratori i Historisë Orale, i cili mundëson që të shkohet më afër mikrohistorisë dhe rrëfimeve autentike mbi të kaluarën dhe përditshmërinë e shoqërisë shqiptare me qëllim të regjistrimit të memories kolektive, transkriptimit, publikimit dhe arkivimit të saj. Një gjë e tillë do të shërbejë si një mundësi e shkëlqyer për studentët, studiuesit dhe hulumtuesit për studime më të thelluara në fushën e historisë, antropologjisë, sociologjisë, e shkencave të tjera shoqërore. Përmes laboratorit, synohet të realizohen edhe trajnime dhe pjesëmarrje e studentëve dhe stafit të Departamentit të Historisë dhe Fakultetit Filozofik, duke qenë në linjë edhe me praktikat më të mira të laboratorëve të tillë në universitetet evropiane.

Laboratori është investim tërësisht i UP-së në një vlerë totale prej € 10,500. Kjo hapësirë plotëson edhe kriterin përkatës për vazhdimin e akreditimit të programeve të departamentit në aplikimin e ardhshëm.

Gjatë kësaj vizite, menaxhmenti u ndal edhe tek auditoriumi  #101, i rinovuar tërësisht me fonde të UP-së.