Stafi i UP-së, pjesëmarrës në trajnimin për këshilltarët e karrierës, të mbajtur në Gjermani

30 Mars 2023
SHARE

Me një ceremoni të mbajtur në Hertie School në Berlin të Gjermanisë, është shënuar fillimi i javës përmbyllëse të trajnimit të këshilltarëve për karrierë rreth qasjes inovative në edukim, orientim dhe zhvillim në karrierë.

Në këtë trajnim, Universiteti i Prishtinës u përfaqësua nga këshilltarët për karrierë të Qendrës për Zhvillim të Karrierës, Elmedina Nikoçeviq-Kurti dhe Shkumbin Tafilaj.

Në këtë ceremoni, këshilltarja znj. Nikoçeviq-Kurti ka prezantuar para të pranishmëve rezultatet e arritura nga faza e parë e trajnimit, të zhvilluar në janar 2023 në Prishtinë, me theks të veçantë ato të arritura nga Universiteti i Prishtinës. Ajo ka promovuar projektet e realizuara në fushën e zhvillimit në karrierë para pjesëmarrësve personalitete me impakt në fushën e ndërkombëtarizimit të arsimit nga Gjermania, Hungaria, ShBA-ja dhe Kolumbia.

Nga Qendra e Karrierës në Universitetin Teknik të Berlinit dhe ajo e Universitetit Ndërkombëtar të Shkencave të Aplikuara në Berlin, u organizua një pritje e veçantë për delegacionin nga Kosova.

E për dedikimin e UP-së për krijimin e mundësive të reja për studentët dhe të diplomuarit, foli edhe këshilltari për karrierë, z. Tafilaj. Ai tha që UP-ja është e orientuar nga e ardhmja dhe është duke punuar fuqishëm në implementimin e praktikave të fituara dhe në fuqizimin e partneritetit ndërinstitucional.

Java e trajnimit të këshilltarëve për karrierë rreth qasjeve inovative në edukim, orientim dhe zhvillim në karrierë, e zhvilluar në datat 23 – 27 janar 2023 në Prishtinë dhe 21 – 23 mars 2023 në Berlin, shtrihej në dy rrafshe, atë profesional dhe në praktikë.

Ngritja e kapaciteteve të Qendrës për Zhvillim të Karrierës është vazhdimësi e bashkëpunimit ndërinstitucional në mes UP-së dhe  GIZ - Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe projektit DIMAK, PME - Qendra Gjermane e Informacionit për Migrim, Arsim Profesional dhe Karrierë.

Programi trajnues u zhvillua dhe u implementua nga Hertie School Berlin.