Ekspertët vlerësues monitorojnë projektet e financuara nga Unioni Evropian në kuadër të programit Erasmus+ për Ngritje të Kapaciteteve

24 Mars 2023
SHARE

 

Gjatë muajit Mars në Universitetin e Prishtinës është bërë vlerësimi i projekteve Erasmus+ për Ngritje të Kapaciteteve. Vlerësimi u krye nga ekspertja monitoruese nga EACEA, znj. Simona Nanescu e cila vlerësoi rezultatet e projekteve dhe efektivitetin e tyre të përgjithshëm. Dëshmitë e ofruara nga menaxhmenti i lartë dhe koordinatorët e projekteve kanë treguar se këto iniciativa kanë pasur një ndikim pozitiv tek institucionet dhe individët pjesëmarrës.        

Në këto takime morën pjesë dhe menaxhmenti i lartë, përshirë rektorin e Universitetit të Prishtinë, prof. Dr. Qerim Qerimi, prorektoren për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik prof. Dr. Arta Basha Jakupi, prorektorin  për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion prof. Dr. Sefer Avdijaj dhe zyrtarin për projekte Fitim Seferi.

Projektet e Ngritjes së Kapaciteteve Erasmus+ janë pjesë e programit më të gjerë Erasmus+, i cili synon të rrisë cilësinë e arsimit dhe trajnimit në të gjithë Evropën. Këto projekte specifike fokusohen në mbështetjen e institucioneve në vendet partnere për të përmirësuar kapacitetin dhe ekspertizën e tyre në fusha specifike, si: zhvillimi i kurrikulës, trajnimi i stafit dhe sigurimi i cilësisë.

Ekipi i vlerësimit analizoi të dhënat nga katër projekte të Ngritjes së Kapaciteteve që u zhvilluan midis 2018 dhe 2022. Projektet që iu nënshtruan procesit të monitorimit, ishin: QATEK – “Towards a quality oriented system of initial teacher education to increase teacher professionalism in Kosovo”, STAND - “Strengthening university autonomy and increasing accountability and transparency of Western Balkans Universities”, ENEMLOS - “Legal clinics in service of vulnerable groups: enhancing the employability of Law students through practical education”, PhDICTKES – “The development and implementation of a PhD Program in ICT for the Kosovo Education System”.

Ekspertja monitoroi një sërë rezultatesh të kontributit të projekteve, duke përfshirë: kapacitetin dhe performancën e përmirësuar institucionale, rritjën e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit ndërmjet institucioneve, rritjen e aftësive dhe kompetencave të individëve, ndërgjegjësimin dhe kuptimin e standardeve dhe politikave evropiane të arsimit të lartë.

Ky vlerësim ofron njohuri të vlefshme mbi ndikimin e projekteve Erasmus+ të Ngritjes së Kapaciteteve dhe thekson rëndësinë e vazhdueshme të investimit në iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe individëve.