Në Bruksel, mbahet punëtoria “Fuqizimi Institucional dhe Autonomia”, në kuadër të projektit STAND

13 Mars 2023
SHARE

Në hapësirat e Asociacionit Evropian të Universiteteve, është mbajtur punëtoria “Fuqizimi Institucional dhe Autonomia”, në kuadër të projektit Fuqizimi i Autonomisë së Universiteteve dhe Ngritja e Llogaridhënies dhe Transparencës në Universitetet e Ballkanit Perëndimor – STAND.

Pjesëmarrëse në këtë punëtori ishin prorektoret: prof. dr. Arta Basha-Jakupi, prorektore për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, dhe prof. asoc. dr. Pranvera Breznica-Selmani, prorektore për zhvillim, buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin privat, si dhe koordinatorja e projektit në kuadër të UP-së, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj.

Në kuadër të punëtorisë u diskutua për kartelën e autonomisë, lidershipin dhe organizimin për mësimdhënie dhe mësimnxënie në universitetet evropiane, politikat e Open Science në Ballkanin Perëndimor, e të tjera tema të ndërlidhura me objektivat e projektit.

UP-ja, si partner i rëndësishëm i këtij projekti, ka prezantuar progresin e bërë në avancim të autonomisë universitare dhe rolin e tij në kuadër të këtij projekti.

STAND është projekt, i cili bashkëfinancohet nga programi Erasmus+ dhe Bashkimi Evropian. Qëllimi i projektit STAND është përmirësimi i proceseve dhe mekanizmave të autonomisë në universitete, duke rritur kapacitetet menaxhuese, llogaridhënëse dhe transparente në universitetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri).