Përfaqësues të UP-së zhvillojnë takime pune në Asociacionin Evropian të Universiteteve dhe në Ambasadën e Kosovës në Bruksel

16 Mars 2023
SHARE

Një delegacion nga Universiteti i Prishtinës ka vizituar Asociacionin Evropian të Universiteteve në Bruksel, ku edhe ka zhvilluar takim pune me z. Thomas Estermann, drejtor për qeverisje, financim dhe zhvillim të politikave publike në këtë asociacion, si dhe përfaqësues të tjerë të AEU-së. Vizita u realizua në kuadër të projektit Fuqizimi i Autonomisë së Universiteteve dhe Ngritja e Llogaridhënies dhe Transparencës në Universitetet e Ballkanit Perëndimor – STAND.

Pjesëmarrëse në këtë takim ishin prorektoret: prof. dr. Arta Basha-Jakupi, prorektore për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, dhe prof. asoc. dr. Pranvera Breznica-Selmani, prorektore për zhvillim, buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin privat, si dhe koordinatorja e projektit STAND në kuadër të UP-së, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj. Gjatë këtij takimi, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UP-së, njëherësh u shpalos edhe progresi i bërë në kuadër të projektit STAND.

Në kuadër të qëndrimit në Bruksel, prorektoret Basha-Jakupi dhe Selmani-Breznica vizituan Ambasadën e Kosovës në Belgjikë, ku u pritën në takim nga diplomatja Mirlindë Gashi. Diskutimet u fokusuan te rëndësia e intensifikimit të partneritetit ndërkombëtar nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit për shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik në mes të UP-së dhe universiteteve e institucioneve të arsimit të lartë në Belgjikë. Gjatë takimit u potencua që të tilla partneritete i kontribuojnë përparimit akademik dhe shkencor të UP-së dhe ofrojnë mundësi për rritje të vizibilitetit dhe ngritjen e rangimit në nivelin rajonal dhe global.

Asociacioni Evropian i Universiteteve (EUA) përfaqëson më shumë se 850 universitete dhe konferenca kombëtare të rektorëve në 49 vende evropiane. EUA-ja luan një rol vendimtar në Procesin e Bolonjës dhe në ndikimin e politikave të BE-së për arsimin e lartë, kërkimin dhe inovacionin. Nëpërmjet ndërveprimit të vazhdueshëm me një sërë organizatash të tjera evropiane dhe ndërkombëtare, EUA-ja siguron që zëri i pavarur i universiteteve evropiane të dëgjohet.