UP-ja, përfituesi më i madh i programeve studimore dhe kërkimore të Qeverisë Amerikane

21 Shkurt 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka pritur sot në takim ekipin për arsim të lartë në sektorin e diplomacisë publike të Ambasadës sëSHBA-së në Kosovë, si dhe Bordin e Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Kosovë (USKEB).

Gjatë këtij takimi, u potencua që Universiteti i Prishtinës është përfituesi më i madh në vend i programeve studimore dhe kërkimore të Qeverisë Amerikane. Të pranishmit theksuan që falë kapaciteteve të larta të stafit akademik dhe studentëve të UP-së, ekzistojnë edhe mundësi më të mëdha përfitimi në të ardhmen.

Në mesin e këtyre programeve të ofruara nga Qeveria Amerikane, në të cilat kanë dalë përfitues stafi dhe studentët tanë, janë mundësitë për bursa për studime master në universitete prestigjioze amerikane, që ofrohen për studentët kosovarë, programi për kërkime post-doktorale për staf të ri akademik, programi i specialistëve të Fulbright dhe asistentëve mësimorë anglezë, të cilët, përmes këtij programi, ofrojnë mësim në gjuhë angleze në UP, e të tjera projekte të arsimit të lartë. 

Gjatë këtij takimi, rektori theksoi që menaxhmenti është i dedikuar që traditën e bashkëpunimit me Ambasadën Amerikane ta zgjerojë edhe më tepër, gjë e cila do të rezultonte me mundësi më të mëdha për stafin dhe studentët.