Studentet e UP-së, përfituese të programit Global Engineer Girls Kosovo

11 Shkurt 2023
SHARE

Në hollin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", u zhvillua ceremonia zyrtare e lansimit të projektit “Global Engineer Girls Kosovo”, i cili mundësohet nga partneriteti ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, UNDP Kosovo, Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe  LIMAK Kosovo.

Prof. ass. dr. Njomza Llullaku, prorektore për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve në UP, në fjalimin e saj përshëndetës, falënderoi partnerët për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe implementimin e programit “Global Engineer Girls Kosovo”. Ky program  synon zhvillimin e shkathtësive ekstrakurrikulare për studentet vajza dhe gra në UP, me qëllim përgatitjen e tyre për tregun e punës.

“Ne besojmë së është e rëndësishme të mbështesim dhe të inkurajojmë gratë të ndjekin karrierë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Duke ofruar këto mundësi, synojmë të ndihmojmë në nivelimin e fushës dhe të krijojmë një komunitet më përfshirës dhe të ndryshëm në STEM”, tha mes tjerash prorektorja Llullaku.

Fjalim përshëndetës në ceremoninë e lansimit të projektit “Global Engineer Girls Kosovo” mbajtën edhe znj. Edona Maloku-Berdyna – zëvendësministre në MASHTI, znj. Maria Suokko,  përfaqësuese rezidente e UNDP-së në Kosovë dhe z. Gökhan Açıkgöz – CFO në LIMAK Kosovo.

Në Ditën e Vajzave dhe Grave në Shkencë, “Global Engineer Girls Kosovo” nderoi studentet përfituese me nga një tablet. Përfitueset ishin 10 studente nga UP-ja, 5 nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe 5 nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

“Global Engineer Girls Kosovo” për Universitetin e Prishtinës implementohet nga Qendra për Zhvillim të Karrierës, ky një nga projektet e rëndësishme me qëllim fuqizimin e gruas në shkencë, teknologji dhe inovacion.