Rektori i përgëzon dhe falënderon për punën profesoreshat me numrin më të madh të citimeve në Scopus

20 Janar 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, ka pritur sot në takim profesoreshat me numrin më të madh të citimeve në databazën Scopus. Në këtë takim, rektori ishte i shoqëruar nga prorektori për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion, prof. dr. Sefer Avdiaj, prorektorja për zhvillim, buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin privat, prof. asoc. dr. Pranvera Breznica - Selmani dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. dr. Arta Basha - Jakupi.

Rektori Qerimi, në fjalën e tij, shprehu mirënjohjen institucionale për kontributin e çmueshëm të profesoreshave, duke theksuar që ky takim do të vlejë edhe si mesazh për kolegët që ky rezultat është i arritshëm edhe për ta. “Dua të përcjell mirënjohjen personale dhe institucionale, si dhe falënderimin për impaktin që me punën tuaj keni kontribuar, jo vetëm drejtpërdrejt te studentët, por edhe në rangimin dhe imazhin e UP-së ndërkombëtarisht”, tha Rektori.   

Ndërkaq, profesoreshat e pranishme në këtë takim e falënderuan Rektorin për këtë iniciativë, duke shtuar që kjo formë e mirënjohjes nga menaxhmenti i UP-së është një shtysë shtesë për të shtuar kontributin e tyre shkencor dhe akademik.

Të pranishmit diskutuan edhe për ndryshimet statutare dhe format e tjera institucionale, të cilat do të mund të kenë impakt në ngritjen dhe vlerësimin e punës shkencore në kuadër të UP-së. 

Profesoreshat e ftuara në këtë takim, duke e marrë për bazë numrin e tyre të citimeve në platformën Scopus janë:

  • Ass. dr. Miribane Dërmaku - Sopjani
  • Prof. dr. Antigona Hasani
  • Ass. Dr. Mjellma Rexhepi
  • Prof. asoc. dr. Isme Humolli
  • Prof. ass. dr. Ardiana Murtezani
  • Prof. asoc. dr. Hatixhe Latifi-Popovci
  • Prof. dr. Suzana Manxhuka - Kërliu
  • Prof. asoc. dr. Merita Berisha
  • Prof. ass. Kaltrina Kelmendi
  • Prof. dr. Lule Ahmedi.