QZhK-ja organizon event rrjetëzues për studentët, profesorët dhe partnerët e grupeve studentore

27 Dhjetor 2022
SHARE

Në hapësirat e Qendrës për Zhvillim të Karrierës të Universitetit të Prishtinës u organizua eventi rrjetëzues i fundvitit, në të cilin morën pjesë studentët anëtarë të grupeve të studentëve, mentorët-profesorë të UP-së, praktikantët në QZhK, përfaqësuesit e KUSA-s e projektit “Mentoring our Future” si dhe stafit të QZhK-së.

E pranishme në këtë event ishte edhe prorektorja për zhvillim, prof. Pranvera Breznica-Selmani, e cila shprehu kënaqësinë e veçantë të përfaqësojë në këtë ceremoni përmbyllëse zërin institucional dhe dedikimin e drejtuesve të UP-së në rrugëtimin e përbashkët drejt vlerave institucionale dhe kulturës organizative në programet ekstrakurrikulare.

“Koncepti i grupeve të studentëve është një prej vlerave thelbësore të një universiteti me kredibilitet institucional. Një institucion i arsimit të lartë, i cili investon në programe ekstrakurrikulare, jo vetëm që çon në përmirësimin e jetës studentore, por edhe në transformimin pozitiv të mënyrës së të jetuarit dhe të vepruarit në universitet. Prandaj, në afat të shkurtër, duke i promovuar rezultatet mentoruese dhe punën e suksesshme ekipore të grupeve të studentëve, ne arrijmë ta bëjmë komunitetin akademik dhe studentët më të fortë dhe më të përgjegjshëm, duke bërë që në afat të gjatë të përfitojnë të gjithë”, tha mes tjerash prorektorja prof. Breznica-Selmani.

Me një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtua edhe znj. Shkëndije Himaj nga KUSA, e cila falënderoi Universitetin e Prishtinës për përkrahjen në implementimin e këtij projekti, i cili u mundëson studentëve të ndjekin pasionet dhe interesat e tyre me studentët e tjerë, duke arritur në këtë mënyrë të zhvillojnë aftësi drejtuese dhe organizative gjatë gjithë përvojës së tyre si studentë universitarë.

Gjatë këtij eventi u bë edhe shpallja e projektit më të mirë të grupeve të studentëve, të cilin e mori Grupi për Edukim, Teknologji, Inovacion dhe Ndërmarrësi (ETIN) nën mentorimin e prof. Zeqir Veselajt për realizimin e ueb faqes www.etinup.com.

Grupet e studentëve u themeluan në muajin tetor të këtij viti, me iniciativë të projektit “Mentoring our Future” dhe Universitetit të Prishtinës, të cilat u mbështeten nga stafi i Qendrës për Zhvillim të Karrierës në UP.