Hapet ekspozita “Kthimi” me punime të studentëve të UP-së

13 Dhjetor 2022
SHARE

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është hapur ekspozita “Kthimi” apo “rETurN”. Pikturat e punuara me shumë mjeshtëri nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës i dhuruan hollit të Bibliotekës shumë ngjyra dhe gjallëri.

Kuratorja dhe ideatorja e këtij projekti, profesoresha Majlinda Kelmendi, tha se ndihet tejet krenare me punën e palodhshme të studentëve të saj. Ajo theksoi se pikturat e paekspozuara më parë, të cilat artdashësit mund t’i shijojnë nëpërmjet kësaj ekspozite, përmbajnë edhe elemente digjitale.

“Momentalisht kemi disa dilema në lidhjen e njerëzores me digjitalen. Pikërisht kjo temë i ka provokuar ata për t’i sjellë këto punime, ku herë-herë do të shihni nudo, të cilat janë të trajtuara në mënyrë abstrakte dhe moderne, e herë të tjera do të shihni elemente digjitale në punën e tyre”, tha Kelmendi.

Ekspozitën “Kthimi”, e cila zgjoi kërshërinë e një audience të gjerë që ishte e pranishme në hapjen e saj, mund ta vizitoni deri më 17 dhjetor 2022.

Ky projekt është organizuar nga Fakulteti i Arteve i UP-së dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës – Drejtoria për Kulturë.