UP-ja organizon konferencën dyditore me temë “Identiteti arkitekturor i qytetit”

19 Dhjetor 2022
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës ka organizuar Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Arkitekturë dhe Urbanizëm, me titull "Identiteti arkitekturor i qytetit".

Bashkorganizator të këtij aktiviteti janë Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), Universiteti Shtetëror i Arizonës, Universiteti Teknik i Vjenës, Kolegji i Arkitekturës në Boston, Universiteti Bauhaus në Weimar dhe të tjerë.

Në hapjen zyrtare të konferencës të pranishmëve, me fjalë përshëndetëse, iu drejtuan ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik në UP, prof. dr. Arta Basha-Jakupi, dekanja e Fakultetit të Arkitekturës në UP, prof. dr. Violeta Nushi si dhe dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT, prof. dr. Armand Vokshi.

Ministri Aliu shprehu mirënjohje për iniciativën e Fakultetit të Arkitekturës në UP për organizimin e këtij aktiviteti dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin e arkitekturës në Kosovë.

Në anën tjetër, prorektorja Basha-Jakupi potencoi rëndësinë që ka trajtimi i temës së kësaj konference në mes kolegëve ndërkombëtarë, universiteteve partnere, akademikëve dhe profesionistëve të ndryshëm. Ajo theksoi se njohuritë dhe rekomandimet e të pranishmëve do të ndihmojnë në navigimin e përpjekjeve sfiduese për krijimin e manifestimit fizik të peizazhit të veçantë social dhe kulturor të qytetarëve.

Ndërkaq, dekanja Nushi foli më tepër për krijimin e Platformës Ndërkombëtare për Arkitekturë dhe Urbanizëm (IPAU), me idenë që t'u shërbejë shkencëtarëve, profesionistëve dhe studentëve vendas dhe të huaj, për të shpërndarë dhe shkëmbyer përvojat dhe qasjet rreth aspekteve të veçanta të Arkitekturës dhe Urbanizmit, duke u fokusuar në identitetin arkitekturor të qytetit gjatë konferencës së saj të parë.

Punimet e kësaj konference i përshëndeti edhe dekani Vokshi, i cili e vlerësoi lart iniciativën e Fakultetit të Arkitekturës të UP-së dhe shprehu mirënjohje të veçantë për bashkëpunimin që këto dy fakultete kanë ndër vite.

Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Arkitekturë dhe Urbanizëm është gjithashtu një mundësi për të ndarë praktikat e mira dhe iniciativat e fakulteteve, për të diskutuar sfidat kryesore dhe për të mësuar rreth këtij aspekti jetik të identitetit të qytetit.