Mbahet Panairi Kombëtar i Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë

30 Nëntor 2022
SHARE

Sot është mbajtur Panairi Kombëtar i Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë, në të cilin morën pjesë mbi 200 institucione dhe biznese. Gjatë këtij panairi, studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës patën rastin të eksplorojnë vendet e lira të punës dhe mundësitë e tjera për zhvillim në karrierë, përfshirë mundësitë për punë praktike, trajnime, bursa, përpilim të CV-së, e të tjera.

Nisjen e panairit e përshëndeti rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili theksoi se kjo ngjarje, përveç që do t’u shërbejë studentëve dhe të diplomuarve, krijon hapësirë për vlerësim të nevojave të UP-së për identifikim të programeve dhe të zhvillimit të kurrikulave në pajtueshmëri me kërkesat e tregut.

“Duke qenë shtëpia kryesore e përgatitjes së të rinjve, UP-ja, po ashtu, ka nevojë të përhershme për përditësim. Universiteti ka nevojë të ndjekë trendin botëror, si në identifikim të programeve, ashtu dhe në zhvillim të kurrikulave studimore dhe në zbatimin e tyre të duhur, në pajtueshmëri me kërkesat e tregut të punës. Një gjë e tillë është përfshirë në planin tim aktual për UP-në, për realizimin e të cilit krijimi i partnerëve të rinj është i domosdoshëm”, theksoi rektori.

Këtë panair e ka përshëndetur edhe ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, znj. Rozeta Hajdari, e cila ka potencuar që arsimit dhe aftësimit profesional të të rinjve duhet t’u kushtohet shumë vëmendje, meqë e ardhmja e ekonomisë së vendit është pikërisht në shkolla.

Rreth panairit dhe mundësive që ai ofron foli z. Sebastian Leuschner nga Ambasada Gjermane në Kosovë, i cili njëherësh falënderoi partnerët e këtij projekti, që e kanë bërë të mundur realizimin e tij.

Panairi i punës është realizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qeveria e Kosovës, Agjencia e Punësimit në Republikën e Kosovës dhe Qeveria Gjermane, përmes GIZ-it dhe KDWV-së (Kosovarisch-Deutsche Wirtschaftsvereinigung).

Në këtë panair morën pjesë njësi akademike, qendra dhe zyre të ndryshme brenda UP-së, përfshirë këtu Qendrën për Zhvillim të Karrierës, e cila ka koordinuar dhe implementuar në tërësi këtë projekt, nga ana e UP-së.