UP-ja merr pjesë në seancë dëgjimi për buxhetin me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

24 Nëntor 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi, u.d. i sekretarit të përgjithshëm, z. Besfort Krasniqi dhe drejtori i zyrës për buxhet dhe financa, z. Ilir Hajdari, kanë marrë pjesë në dëgjimin për ndarjet buxhetore të UP-së në kuadër të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 për fushën e arsimit, të organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo është edhe hera e parë që UP-ja ftohet në dëgjim publik për buxhetin e tij.

Rektori Qerimi paraqiti dhe argumentoi nevojën për shtim te buxhetit, për të bërë të mundur në veçanti rekrutimin e stafit të ri akademik, si dhe për të mundësuar realizimin e objektivave kërkimore, të avancimit të cilësisë së mësimit dhe të ndërkombëtarizimit të UP-së.

Komisioni parlamentar, e vlerësoi rëndësinë e veçantë të këtyre objektivave dhe të aktiviteteve përcjellëse, si dhe pranoi nevojën për mbështetje në këto segmente të rëndësishme në një institucion vital siç është UP-ja. Në vijim të një propozimi të detajuar, të përcjellë me saktësime dhe arsyetime të detajuara, kërkesat e UP-së do të shqyrtohen në fazën e radhës të procesit të finalizimit të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023.