Themelohet Instituti UPCO Cluster

15 Nëntor 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike e Kosovës janë bashkëthemeluesit e Institutit UPCO Cluster, i cili u lansua gjatë një aktiviteti të organizuar nga projekti Alled2. UPCO ka për qellim ndërlidhjen e akademisë me industrinë dhe qeverisjen lokale. Instituti, duke ndjekur modelin e quajtur si “spirale e trefishtë” (triple helix), synon të zbatojë projekte zhvillimore të bazuara në njohuri dhe teknologji të reja.

Në lansimin e këtij projekti, të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua u.d. e rektores së UP-së, prof. ass. dr. Luljeta Plakolli-Kasumi, e cila tha se me lansimin e këtij projekti, do të avancohet tutje misioni i tretë ndërmarrës i universitetit.
“Trendet zhvillimore nuk mund të ndiqen duke u angazhuar si institucione të vetmuara, por nevojiten partneritete të fuqishme dhe të qëndrueshme, të cilat bazohen në trekëndëshin e dijes akademi/universitete-industri-qeveri. Prandaj, UP-ja, si një Alma Mater e të gjitha zhvillimeve akademike, shkencore, kërkimore dhe teknologjike në vend, jo vetëm që nuk mund të priste për të tjerët, por patjetër që duhej të ishte prijëse e këtyre zhvillimeve dhe trendeve bashkëkohore,” theksoi rektorja në fjalën e saj.

Lansimin e institutit e përshëndetën edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, kryesuesi i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë dhe Sport, z. Ardian Gola,  z. Johannes Madsen, nga Zyra e BE-së në Kosovë, znj. Donjeta Sahatçiu, nënkryetare e Komunës së Prishtinës, si dhe Lulzim Rafuna, president i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, më në detaje rreth projektit folën znj. Efka Heder, lidere e projektit Alled2, z. Anton Gojani, koordinator për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë Alled2, si dhe, në cilësinë e ekspertëve, audiencës iu drejtuan profesorët e UP-së, prof. dr. Bajram Berisha dhe prof. dr. Avdulla Alija.

UPCO Cluster është një organizatë jofitimprurëse e specializuar për promovimin e teknologjive të reja, inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe ofrimin e shërbimeve për ekonominë dhe arsimin në Kosovë. Ky projekt, i institucionalizuar në vitin 2022, përmes një marrëveshjeje ndërmjet institucioneve themeluese, është mbështetur nga projekti Alled 2, Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Bashkimi Evropian.