UP-ja, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, organizon punëtori mbi zhvillimin e karrierës

13 Korrik 2022
SHARE

Në ambientet e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, filluan sesionet trajnuese për studentët e UP-së, të cilat zhvillohen në kuadër të punëtorisë mbi zhvillimin e karrierës me organizatat ndërkombëtare. Ky aktivitet treditor organizohet nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës dhe në partneritet me ambasadën e SHBA-së në Kosovë dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Në hapjen zyrtare të këtij aktiviteti, të ftuarve dhe studentëve pjesëmarrës iu drejtuan prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. ass. dr. Elton Bahtiri, dhe znj. Anita Janassary, drejtoreshë e Departamentit për Burime Njerëzore në EULEX, Kosovë.

Prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. Bahtiri, shprehu mirënjohje dhe falënderim për iniciativën e EULEX-it për organizimin e këtij aktiviteti, në bashkëpunim me UP-në dhe kontributin e organizatave tjera ndërkombëtare në Kosovë, për të pasuruar këtë punëtori me informata dhe sugjerime mbi aplikimin për punësim në ato organizata.

“E vlerësojmë shumë këtë bashkëpunim për t’iu ofruar studentëve tanë sa më shumë informata mbi mjetet e nevojshme për menaxhimin e suksesshëm të zhvillimit të tyre profesional përgjatë karrierës, të cilat po ashtu mund t’i shfrytëzojnë për t’iu qasur më lehtë aplikimit për punësim në organizatat ndërkombëtare në Kosovë,” tha prof. Bahtiri.

Drejtoresha e Departamentit për Burime Njerëzore në EULEX, znj. Janassary, tha që e vlerëson gatishmërinë e Universitetit të Prishtinës, përmes Qendrës për Zhvillim të Karrierës në këtë institucion, për të bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare në Kosovë në mbështetjen e studentëve dhe të diplomuarve drejt zhvillimit të karrierës me organizatat pjesëmarrëse në punëtori si EULEX, OSBE, UNMIK, GIZ, USAID etj.

Punëtoria për Zhvillimin e Karrierës me organizatat ndërkombëtare synon t'u sigurojë pjesëmarrësve aftësitë dhe njohuritë përkatëse të nevojshme për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të planifikuar karrierën e tyre me organizatat ndërkombëtare.