Themelohet instituti “UPCO Cluster”

24 Qershor 2022
SHARE

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, është themeluar instituti “UPCO Cluster”. Instituti ka si qellim mbështetjen e qasjes inovative, të bazuar në parimin e spirales së trefishtë (triple helix): akademi-qeveri-biznes (kërkime dhe zhvillim), duke nxitur bashkëpunimin e strukturuar në mes të sektorit publik dhe privat, në këtë rast Universitetit të Prishtinës, Komunës së Prishtinës dhe Odës Ekonomike të Kosovës. Themelimi i këtij instituti është mundësuar nga projekti ALLED2, i financuar nga programet e Bashkimit Evropian dhe ADA austriake.

Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, në takimin konstituiv të bordit të institutit, përshëndeti të gjithë të pranishmit, anëtarët e bordit të institutit “UPCO Cluster”, duke iu dëshiruar punë të mbarë në realizimin e projekteve të synuara, sidomos në programet të cilat ndihmojnë në përmirësimin e punësueshmërisë së studentëve të UP-së, përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës dhe duke nxitur ndërlidhjen e arsimit të lartë me industrinë.