Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur sot punëtoria e radhës në kuadër të projektit Fuqizimi i autonomisë së universiteteve dhe ngritja e llogaridhënies dhe transparencës në universitetet e Ballkanit Perëndimor – STAND, gjatë së cilës u diskutuan rregullativat e autonomisë universitare.
I pranishëm në hapjen e punëtorisë ishte rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti. Në fjalën e tij, rektori Sahiti tha se kjo ngjarje, ashtu si edhe tematika e këtij projekti, janë shumë të rëndësishme, pasi që pavarësia dhe autonomia institucionale janë ndër objektivat dhe sfidat kryesore të Universitetit të Prishtinës dhe të gjitha universiteteve tjera publike në Kosovë.
![](/desk/inc/media/5932E8A0-72E1-4E49-9FAD-F08DB23F8785.jpg)
Ndërkaq, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar e UP-së, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, njëherësh koordinatore e projektit STAND për UP-në, në fjalën hapëse të saj, theksoi që është bërë punë shumë e madhe në kuadër të projektit, në nxjerrjen e të dhënave për autonominë universitare në Kosovë dhe rajon. Sipas prorektores Blakaj, këto të dhëna kanë krijuar bazën për përmirësimin dhe harmonizimin e ligjeve dhe rregullativave në arsimin e lartë.
![](/desk/inc/media/93E04C00-FBF7-495E-A814-4CF43D77A923.jpg)
STAND është projekt në kuadër të programit ERASMUS+, i cili koordinohet nga Kolegji IBCM. Drejtoresha e këtij kolegji, prof. dr. Mihone Kerolli, foli për implementimin e deritanishëm të projektit dhe hapat e mëtutjeshëm të tij. Ndërkaq, për përmirësimin e rregullativave të autonomisë universitare dhe aktivitetet e tjera të parapara në kuadër të projektit, foli edhe prof. Agron Hajdari nga kolegji IBC-M.
![](/desk/inc/media/24B51651-C4D1-408E-A80A-4DF62CCBACBB.jpg)
Gjatë punëtorisë, profesori i UP-së, prof. dr. Avdulla Alija, prezantoi rezultatet nga analiza mbi rregullimin e autonomisë së universitetit, sfidat dhe mundësitë. Ai paraqiti gjetjet nga kartela matëse e autonomisë universitare dhe theksoi nevojën e harmonizimit të Ligjit të Arsimit të Lartë me ligjet e tjera, në veçanti me Ligjin për Financa.
Punëtoria ka vazhduar me prezantime të tjera nga përfaqësues të universiteteve partnere dhe u përcoll me diskutim nga të pranishmit në sallë dhe virtualisht. STAND është projekt, i cili bashkëfinancohet nga programi Erasmus+ dhe Bashkimi Evropian. Qëllimi i projektit STAND është përmirësimi i proceseve dhe mekanizmave të autonomisë në universitete, duke rritur kapacitetet menaxhuese, llogaridhënëse dhe transparente në universitetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri).