UP-ja, pjesë e Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor

22 Prill 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po merr pjesë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, i cili po mbahet në Tiranë.

UP-ja paraqitet në këtë ngjarje duke ekspozuar 24 tituj universitarë, nga fusha të ndryshme studimi, të botuar përgjatë periudhës janar 2021 – mars 2022, të cilat prezantojnë punën shkencore të personelit akademik të UP-së. 

Gjatë ditës së parë të panairit, përveç ekspozimit të botimeve, janë përuruar edhe dy libra universitarë: “Mikroelektronika - parimet dhe zbatimet”, me autorë profesorët Nebi Caka dhe Milaim Zabeli, si dhe libri “Mësimdhënia dhe të nxënit e matematikës – modelimet dhe gjurmimet matematikore”, me autore profesoreshën Eda Vula.



Në hapjen e panairit i pranishëm ishte edhe rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Në takimet e promovimit të librave universitarë të UP-së, Rektori kërkoj që shkrimi i librave universitarë të vazhdoj e të bëhet traditë edhe tek pjesa e tjetër e stafit akademik të UP-së. “Librat e promovuar janë fryt i një punë të gjatë të profesorëve tanë, gjë e cila dëshmon cilësinë e këtyre botimeve, shumë më vlerë dhe përmbajtjesore” theksoi Sahiti.

Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor është organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në kuadër të veprimtarive kushtuar 50-vjetorit të themelimi të ASHSH-së. Panairi do të jetë i hapur deri të dielën, më 24 prill 2022.