Rektori Sahiti dhe rektorja Vican, nga Universiteti i Zarës, diskutojnë për fuqizimin e marrëdhënieve ndëruniversitare

01 Mars 2022
SHARE

Në vazhdën e aktiviteteve të cilat shpien në ngritjen e kapaciteteve dhe promovimin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, është mbajtur sot takim mes rektorit të UP-së, prof. dr. Naser Sahiti dhe rektores së Universitetit të Zarës, të Kroacisë, prof. dr. sc. Dijana Vican.

Rektorët e të dyja universiteteve theksuan impaktin pozitiv në arsimin universitar, i cili mund të rrjedhë si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe reciprok ndërmjet palëve.

Integrimi i kulturës dhe gjuhës shqipe në universitetin bashkëpunues përmes programeve të ndryshme dhe anasjelltas, fuqizimi i marrëdhënieve ekzistuese dhe hapësira për nisma të reja, janë vetëm disa nga elementet të cilat rektori Sahiti i identifikoi si të nevojshme për bashkëpunim të ndërsjellë.
“Sistemi i arsimit universitar në Kosovë dhe Kroaci është pothuajse i njëjtë, prandaj edhe bashkëpunimi dhe integrimi i dyanshëm, do të thotë shumë për UP-në. Ne si institucion jemi të gatshëm të japim angazhimin tonë maksimal dhe të punojmë drejtë direktivave, të cilat promovojnë mobilitet dhe prosperitet reciprok”, ka thënë rektori Sahiti.

Gatishmëri për bashkëpunim dhe integritet ndërkulturor universitar ka shfaqur edhe rektorja Vican, e cila nuk ka hezituar të përkrahë vazhdimin e marrëveshjeve ekzistuese mes dy palëve dhe përfshirjen në partneritete për nisma të reja.

Palët u dakorduan për të proceduar më nënshkrimin e një marrëveshje formale të bashkëpunimit, e cila do të shërbente si bazë për nismat potenciale të diskutuara gjatë takimit.