Rektori Sahiti takon ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu

21 Shkurt 2022
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektori, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, prof. dr. Violeta Nushi, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova, zëvendësambasadori, z. Ugo Ferrero dhe znj. Daniela De Giorgi, përfaqësuese e Zyrës Komerciale në Ambasadën Italiane në Prishtinë.

Rektori Sahiti e falënderoi ambasadorin për vizitën e bërë si dhe bashkëpunimin e gjertanishëm të Ambasadës me UP-në. Ai e informoi ambasadorin për projektet, të cilat Universiteti i Prishtinës është duke i trajtuar me prioritet aktualisht në fusha të ndryshme, siç janë ngritja e cilësisë, ndërkombëtarizimi, kërkimi shkencor e mësimdhënia dhe vuri në pah edhe vullnetin e UP-së për thellim të bashkëpunimit.

Në anën tjetër, ambasadori De Riu foli për disa nga iniciativat e Ambasadës Italiane në Kosovë, në të cilat UP-ja do të mund të kontribuonte përmes studentëve dhe stafit. Ai tha që bashkëpunimi me UP-në për ambasadën është shumë i dobishëm.

Të dyja palët u dakorduan të punojnë së bashku në inicimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta.