Mbahet seminari i dytë shkencor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

28 Dhjetor 2021
SHARE

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur sot seminari i dytë shkencor i këtij fakulteti.

Në hapjen e seminarit, të pranishmëve, me fjalë përshëndetëse, iu drejtua kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili tha që arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Kryeministri Kurti foli për rëndësinë e digjitalizimit në arsim, të cilin e konsideroi si komponent kyç për reformë në këtë sektor.
“Ky seminar është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku edhe me hulumtues tanë në diasporë për zhvillimin e aftësive digjitale, promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit si domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme si rruga më e mirë drejt zhvillimit”, theksoi kryeministri. Kurti shprehu edhe nostalgjinë e tij për vizitën në këtë fakultet, në të cilin kryeministri ka kryer studimet.

Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, shprehu admirimin e tij për punën që është duke u bërë në FIEK, me qellim të përafrimit të potencialit akademik dhe shkencor të diasporës me hulumtuesit vendorë. Rektori theksoi që numri i hulumtuesve shqiptarë në universitete ndërkombëtare ka shënuar ngritje në dy dekadat e fundit dhe ky është një zhvillim pozitiv, i cili mund të ndikojë edhe në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me universitete ndërkombëtare.
“Organizimi i një seminari si ky i sotshmi dhe gatishmëria e një numri të madh të punëtorëve shkencorë nga diaspora që të paraqiten me tema specifike nga fushëveprimi i tyre është padyshim një kontribut domethënës për kultivimin e bashkëpunimit ndërmjet hulumtuesve tanë të rinj dhe atyre me përvojë ndërkombëtare,” tha rektori.

Në hapje të seminarit foli edhe dekani i FIEK-ut, prof. asoc. dr. Isak Shabani, i cili theksoi që FIEK-u buron nga misioni themelor i UP-së, bazuar në të cilin edhe ky fakultet ka definuar misionin e tij për shkollimin e të rinjve në fushën e inxhinierisë kompjuterike në të gjitha nivelet e arsimit të lartë, varësisht nevojave të tregut të punës.

Ndërkaq, për organizimin e seminarit informoi më tepër prof. asoc. dr. Kadri Sylejmani, prodekan për kërkime shkencore dhe bashkëpunim ndërkombëtar në FIEK, i cili tha që në seminar 17 punime do të prezantohen nga studiuesit pjesëmarrës.

Në këtë seminar kanë prezantuar hulumtimet e tyre profesorë dhe shkencëtarë të dalluar që janë bashkatdhetarë tanë në diasporë, si dhe profesorë e studentë nga FIEK-u.