Diskutohen iniciativa për bashkëpunim ndërmjet UP-së dhe institucioneve australiane të arsimit të lartë

16 Dhjetor 2021
SHARE

I ngarkuari me punë i Ambasadës Australiane në Kroaci, përgjegjës edhe për Kosovë, z. Andrea Biggi, ka vizituar sot Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku është pritur në takim nga menaxhmenti i UP-së, me në krye rektorin prof. dr. Naser Sahiti.

Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Australisë në fushën e arsimit të lartë.  

Rektori Sahiti bëri një prezantim të shkurtër të historikut, arritjeve dhe objektivave të UP-së. Sahiti theksoi që menaxhmenti i UP-së është i dedikuar në avancimin e institucionit në gjashtë fusha: mësimdhënie dhe mësimnxënie, punë kërkimore, sigurim të cilësisë, llogaridhënie fiskale dhe menaxhim financiar, zhvillim të infrastrukturës dhe ndërkombëtarizim. Sahiti tha që, ndër të tjerash, është i interesuar në krijimin e kontakteve me diasporën kosovare në Australi, me të cilët do të mund të eksploronin forma të ndryshme për kontribut në UP dhe Kosovë.

Në anën tjetër, ambasadori Biggi përmendi disa nga bashkëpunimet që si ambasadë deri më tani kanë realizuar me UP-në. Ai u shpreh i hapur që të shikohet për mundësi konkrete të bashkëpunimit, qoftë në fushën e mobiliteteve për studentë apo staf, apo edhe në realizim të programeve të përbashkëta.

Përfaqësuesit e UP-së dhe ata të Ambasadës së Australisë në Kroaci u dakorduan që të zhvillojnë takime edhe në të ardhmen, për të definuar fushat e partneritetit.