Diskutohet për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Universitetit Lumsa në Romë

14 Dhjetor 2021
SHARE

Në kuadër të projektit “QATEK - Drejt një edukimi fillestar të mësuesve të orientuar drejt cilësisë për të rritur profesionalizmin e mësuesve në Kosovë”, një delegacion i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po qëndron në Universitetin Lumsa në Romë, Itali.

Gjatë vizitës në Romë, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar e UP-së, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, është pritur në takim nga rektori i universitetit nikoqir, prof. Francesco Bonini. Në këtë takim u diskutuan mundësi të shumta për thëllimin e bashkëpunimit në nivel të të dyja universiteteve.

Prorektorja Blakaj e njoftoi rektorin Bonini me strukturën, historikun dhe të arriturat e UP-së. Ajo theksoi që UP-ja ka një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në nivel universitar me institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe vuri në pah vullnetin që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më tepër në vazhdimësi, duke përfshirë edhe realizimin e një partneriteti të ndërsjellë me Universitetin Lumsa.

Përveç prorektores Blakaj, në punëtorinë e organizuar në kuadër të projektit QATEK në Universitetin Lumsa po marrin pjesë edhe prodekanet e Fakultetit të Edukimit, prof. Majlinda Gjelaj dhe prof. Blerta Perolli-Shehu, si dhe profesorët Naser Zabeli, Hatixhe Ismajli dhe Donika Koliqi.

Gjatë punëtorisë katërditore, delegacioni i UP-së do të prezantojë perspektivën dhe gjetjet e UP-së në kuadër të projektit.

QATEK është projekt i cili udhëhiqet nga UP-ja, e ku partnerë kemi Universitetin e Lubjanës, Universitetin e Tallinit, Universiteti Lumsa, Universitetin “Kadri Zeka”, Universitetin “Fehmi Agani” dhe Universitetin “Isa Boletini”. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është futja e mekanizmave dhe aftësive në institucionet fillestare të edukimit të mësuesve në Kosovë, për të zbatuar praktikat e brendshme të sigurimit të cilësisë, që dërgojnë drejt ngritjes së cilësisë së të diplomuarve që janë të aftë të shtyjnë përpara reformën e shkollës.

Më shumë rreth projektit mund të kuptoni në këtë vegëz: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,92